Si qeveriset pushteti gjyqësor pas reformës në drejtësi?

Reforma në drejtësi ka sjellë ndryshime të rëndësishme në panoramën e sistemit të drejtësisë. Nga njëra anë janë shtuar organe të reja që e qeverisin këtë sistem, ndërsa nga ana tjetër ka një ri-shpërndarje të ndryshme të kompetencave të secilit prej këtyre organeve.

Është e vështire edhe për vetë specialistët e fushës të jenë të informuar mbi shkallën dhe thellësinë e këtyre ndryshimeve dhe jo më për individët. Lex Ferenda beson se publiku duhet të jetë i informuar për çfarë ndodh me sistemin e drejtësisë. Vetëm kështu, individët mund të kuptojnë rëndësinë dhe domethënien e këtyre ndryshimeve drastike. Për këtë arsye, Lex Ferenda ka përgatitur një informacion praktik dhe të shkruar thjeshtë  në mënyrë që të jetë i kuptueshëm për ata që nuk janë specialistë të fushës në mënyrë që ti ndihmojë ata të jenë informuar saktë mbi këtë reformë si dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive në debatet që e shoqërojnë atë.

Çfarë është KLGJ?

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) është organi më i lartë që qeveris sistemin gjyqësor dhe zëvendëson në këtë rol Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

KLGJ është e përbërë nga 11 anëtarë. Gjashtë prej tyre janë gjyqtarë dhe zgjidhen ndërmjet gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Pesë anëtarët e tjerë janë juristë jo-gjyqtarë dhe zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me propozim nga avokatët (2), trupat akademike të fakulteteve të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës (2) dhe shoqëria civile (1).

Cila është risia që sjell reforma?

KLGJ ka, jo vetëm një përbërje të ndryshme nga KLD-ja, por edhe një ndryshim cilësor në kompetenca.

KLGJ emëron gjyqtarët e shkallës së parë dhe të apelit. Para reformës, të gjithë gjyqtarët emëroheshin nga Presidenti i Republikës.

KLGJ propozon kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë te Presidenti i Republikës. Presidenti mund të mos e emërojë kandidatin por gjithsesi dekreti për refuzimin e humb fuqinë nëse KLGJ voton kundër tij. Para reformës gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emëroheshin nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

KLGJ nuk  kryen më inspektime në sistemin gjyqësor por vetëm merr masa disiplinore. Para reformës inspektimet kryheshin nga inspektorati i KLD-së dje nga inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë. Eliminimi i dualitetit të inspektorati shmang konfuzionin dhe mbivendosjen e kompetencave ndërsa heqja e të drejtës së inspektimit nga KLGJ shmang konfliktin e interesit në vendimmarrje pasi tashmë inspektimet dhe propozimet vijnë nga jashtë KLGJ.

Anëtarët e KLGJ janë funksionarë me kohë të plotë, gjë e cila lejon një organizim të brendshëm më të zhdërvjellët dhe eliminon vonesa në përmbushjen e kompetencave.

Çfarë është KLP?

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është tashmë organi më i lartë qeverisës i prokurorisë së Republikës së Shqipërisë.

KLP është e përbërë nga 11 anëtarë sipas logjikës së KLGJ. Gjashtë prej tyre janë prokurorë dhe zgjidhen ndërmjet prokurorëve të të gjitha niveleve. Pesë anëtarët e tjerë janë juristë jo-prokurorë dhe zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me propozim nga avokatët (2), trupat akademike të fakulteteve të drejtësisë dhe shkollës së magjistraturës (2) dhe shoqëria civile (1).

Cila është risia që sjell reforma?

Prokuroria decentralizohet nëpërmjet ridimensionimit të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm në favor të prokurorëve të tjerë dhe të KLP.

KLP shndërrohet nga thjesht organ këshillues dhe ndihmës i Prokurorit të Përgjithshëm, në organin më të lartë dhe të rëndësishëm të sistemit të prokurorisë.

KLP emëron të gjithë prokurorët në Republikën e Shqipërisë. Para reformës, prokurorët emëroheshin nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.

KLP organizon procedurën e konkurrimit dhe i propozon Kuvendit tre kandidaturat për Prokuror të Përgjithshëm. Para reformës Prokurori i Përgjithshëm emërohej nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

KLP  vlerëson, transferon dhe disiplinon të gjithë prokurorët në Republikës së Shqipërisë. Para reformës të gjitha këto detyra kryheshin nga Prokurori i Përgjithshëm.

Anëtarët e KLP janë funksionarë me kohë të plotë, gjë e cila lejon një organizim të brendshëm më të zhdërvjellët dhe eliminon vonesa në përmbushjen e kompetencave.

Çfarë është Inspektori i Lartë i Drejtësisë?

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një nga organet e reja në kuadrin e reformës. Ky organ do të jetë përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga Kuvendi, me tri të pestat e votave (84), për një periudhë 9-vjeçare.

Cila është risia që sjell reforma?

Verifikimi i ankesave dhe inspektimi centralizohen. Para reformës, verifikimet e ankesave dhe inspektimet në sistemin e drejtësisë kryheshin  nga inspektorati i KLD-së për sistemin gjyqësor, nga Prokurori i Përgjithshëm për sistemin e prokurorisë dhe nga inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë për të dy degët e sistemit të drejtësisë. Centralizimi rrit përgjegjshmërinë në ushtrimin e këtyre kompetencave dhe eliminon mbivendosjen e tyre.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka monopolin e fillimit të procedimit disiplinor. Para reformës procedimi disiplinor fillohej nga Ministri i Drejtësisë për sistemin gjyqësor dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për sistemin e prokurorisë. Heqja e monopolit të Ministrit të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm në fillimin e procedimit kundër gjyqtarëve e depolitizon procedimin disiplinor.

Pozicioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikohet në Kushtetutë dhe ai zgjidhet me shumice të cilësuar për një mandat 9-vjecar. Parashikimi i një Inspektori “të fortë” dhe të pavarur nga organet e tjera të pushtetit gjyqësor apo ekzekutiv, depolitizon dhe rrit objektivitetin e verifikimit të ankesave, inspektimeve dhe eventualisht edhe të procedimeve disiplinore.

Lini një Përgjigje

si mund t'ju ndihmojmë?

Na kontaktoni ose ejani na takoni në çdo kohë.

shikoni galerinë e fotove